Ekonomia rritet, por bizneset falimentojne/ 18 mije mbyllen per 15 muaj... -Albpress Daily News
Published On: Hën, Gus 28th, 2017

Ekonomia rritet, por bizneset falimentojne/ 18 mije mbyllen per 15 muaj…

Megjithëse ekonomia e Shqipërisë po rritet, të paktën sipas shifrave zyrtare, bizneset po mbyllen.

Kështu referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nga maji i 2016 deri në 25 gusht të 2017, rreth 18 mijë biznese kanë kaluar në regjistrin pasiv, duke e ccuar numrin e përgjithshëm 109,099. Përllogaritjet tregojnë se çdo muaj kanë kaluar së paku 1200 biznese në këtë regjistër.

Struktura e bizneseve të ligjshme vitet e fundit po bëhet gjithnjë e më brishtë për shkak se më shumë se 18 mijë biznese janë të listën e zezë të borxhit tatimor, ndaj të cilës ka nisur grumbullimi me forcë i detyrimeve, ndërsa qindra biznese të tjera janë në procesin e falimentit.

Sipas QKB bizneset me status pasiv nuk janë subjekt i dorëzimit të bilancit. Nëse subjekti për periudhën gjatë së cilës ka qenë me status aktiv ka qenë regjistruar si subjekt me përgjegjësi tatimore tatim fitimi, atëherë ky subjekt duhet të kryejë depozitimin e pasqyrave financiare, sqaron QKB.

Regjistri i bizneseve pasive u krijua për herë të parë këtë vit në zbatim të ligjit të procedurave tatimore që detyrojnë tatimet të seleksionojnë listën e rregullt të tatimpaguesve nga lista fiktive, me qëllim shmangien e evazionit fiskal, raporton “Monitor”.

Tatimet sqarojnë se qëllimi i publikimit të listës është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv, pasi bazuar në nenin 44, pika7, të ligjit nr.9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar,: “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj.”

Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

-Nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;

-Nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;

-Deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar.

Ndërsa shumë biznese mbyllen të tjera hapen. Qendra Kombëtare e Biznesit bëri të ditur pak ditë më parë se në 7 muajt e parë të vitit janë hapur rreth 10 mijë biznese të reja, ose mesatarisht 1400 biznese të reja. Në rezultante, duke llogaritur dhe mbylljen, në vend shtohen vetëm 200 biznese të reja në muaj.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në Shqipëri, mbi 90%, janë mikro, me 1-4 punonjës dhe si rrjedhojë mbyllja dhe hapja e tyre është relativisht e lehtë.

Vitin e fundit është rritur ndjeshëm numri i individëve me të ardhura të larta që regjistrohen si biznese të vogla (për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatim fitimi është zero), në mënyrë që të shmangin tatimin e lartë mbi të ardhurat nga paga, që arrin deri në 23% për pagat mbi 130 mijë lekë në muaj.