Donald Lu: Po i ndjek me vëmendje akuzat ndaj Xhafajt, duhet hetim i pavarur -Albpress Daily News
Published On: Enj, Qer 7th, 2018

Donald Lu: Po i ndjek me vëmendje akuzat ndaj Xhafajt, duhet hetim i pavarur

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka reaguar lidhur me akuzat e opozitës ndaj Fatmir Xhafajt dhe kërkesës së saj për largimin e tij nga posti i ministrit të Brendshëm.

Ambasadori Lu shkruan në një postim në faqen zyrtare në rrjetin social të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë se po i ndjek me vëmendje akuzat kundër ministrit dhe vëllait të tij Agron Xhafaj.

“Po i ndjek me vëmendje akuzat kundër Ministrit Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj. Faktet dhe provat, përfshirë edhe vërtetësinë dhe rrethanat rreth regjistrimit audio të raportuar, meritojnë të hetohen në mënyrë të pavarur.

Por kjo nuk mund të jetë arsye për të ndërprerë punën e policisë dhe prokurorëve për të arrestuar drejtues të rrezikshëm të krimit të organizuar.

Koha që Shqipëria të përfundojë punën që ka nisur është tani”, shprehet Ambasadori Lu.