Published On: Die, Dhj 31st, 2017

Dokumenti sekret i 1958, si përdhunoheshin gratë nga drejtuesit e Punëve të Brendshme


Një dokument sekret i vitit 1958, i Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit zbulon një ngjarje të pazakontë për efektivët e Sigurimit të Shtetit.
Relacioni me firmën e kreut të institucionit, Gani Goxhi, “Mbi veprimtarinë e imoralitetit të organizuar në grup nga shefi i Degës Qatip L.”, e pohon qysh në mbititull thelbin e çështjes, që i përket një historie perverse, me një mori ndodhish e episodesh, të cilat fillojnë e mbarojnë me skena përndjekjesh e përdhunimesh, me skenarë të ideuar nga një zyrtar jo pak i rëndësishëm i Degës së Brendshme.

Si protagonist i zhvillimeve monstruoze, kapiten Qatip L. -shtjellon dokumenti në fjalë- duke spekuluar me “pushtetin” e funksionit, organizon vartësit për t’i sjellë vajza të reja që të shuajë epshet e shfrenuara.

Në këtë marrëdhënie të vendosur rishtas, “gjurmuesit” e porositur joshen edhe vetë dhe, aty për aty, sa mbaron punë shefi me gjahun e radhës, i kthehen edhe ata, herë vetëm e herë në grup. Në rastet më të shumta, strehë e orgjive bëhen bazat sekrete të Shërbimit të Fshehtë, një dhomë e maskuar në dyqanin e kë- pucar Hysenit në qytet, vagoni i trenit i rezervuar për punonjësin e sigurinë, zyrat e recepsionit në hotel “Adriatiku”, hotel “Shkumbini” etj.

Ndërkohë, “pehlivanët” e seksit, sipas rastit, nuk hezitojnë ta ushtrojnë vesin e tyre as në zyrat e Policisë, siç ishte ajo e postës së Kombinatit të Drurit, apo e stacionit të trenit. Në pjesën më të madhe, viktimat e radhës janë femrat e cilësuara kontingjent i Sigurimit dhe vajzat e internuara, me të cilat gjahtarët e shefit qejfli mund të operojnë pa shumë vështirësi.

Po ndodh që lakmia e këtij të fundit shkon përtej tyre dhe vartësve të tij u duhet të sfiliten pa fund e paturpësisht për t’i sjellë në krevat gjahun e përzgjedhur. Fantazia djallëzore e sojit të “pehlivanëve” të tillë arrin deri aty sa të nënshtrojë me presion dhjetëra vajza të bukura, duke u arrestuar më parë të dashurit e tyre, të cilët duhet të qëndrojnë në qeli deri sa me to të mbarojë punë kapiten Qatipi me të tijtë.

Çuditërisht, institucioni që bën denoncimin e shfaqjes së shëmtuar, kur operon për ndëshkimin e autorëve, nuk shkon përtej 10 ditëve burg dhe një sugjerimi për t’u gjykuar politikisht në organizatën e Partisë. Po çfarë përmban tjetër relacioni i kreut të Degës së Punëve të Brendshme të qarkut të Elbasanit, që mban datën 20 shkurt 1958…