Dokumenti i rrallë i 51-shit: Të ishe beqar në Shqipëri, tatoheshe! -Albpress Daily News
Published On: Mar, Jan 9th, 2018

Dokumenti i rrallë i 51-shit: Të ishe beqar në Shqipëri, tatoheshe!

Shpërndaj
Tags

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një dokument të 9 shkurtit 1951, përmes të cilit reflektohet një ligj të asaj kohe në Republikën Popullore të Shqipërisë që tatonte personat që ishin beqarë, nga mosha 20-50 për meshkujt dhe deri në 40 vjeç për vajzat
Më 9 shkurt të vitit 1951 Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi Dekretin nr. 1222 mbi tatimin e beqarëve.

Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë. Punëtorët dhe nëpunësit tatohen me 3% mbi të ardhurave, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4% mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lek në vit dhe të tjerët 200 lek në vit.

Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura.

Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen. Dekreti u hartua duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën Sovjetike, siç thotë relacioni bashkangjitur dekretit. Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.

Republika Popullore e Shqipërisë ishte emërtimi zyrtar i shtetit në Shqipëri nga 1946 deri në 1976.