Dokumenti/ Atentatori i Azem Hajdarit, ‘Qytetar Nderi’ i Hasit -Albpress Daily News
Published On: Enj, Qer 14th, 2018

Dokumenti/ Atentatori i Azem Hajdarit, ‘Qytetar Nderi’ i Hasit

Flamur Noka, deputet i PD-së, u shpreh sot se atentatori i Azem Hajdarit në Kuvend, Gafurr Mazreku me urdhër të Ramës do të bëhet “Qytetar nderi” i Hasit.

Noka ka publikuar dhe dokumentin ku është projekt vendim i Bashkisë Has, ndërsa shtoi se mbledhja për miratimin e tij do të bëhet ditën e hënë.

Deputeti i Kukësit, bëri thirrje që të ndalej kjo gjë pasi sipas tij, Azem Hajdari po vritet për herë të dytë.

Deklarata e Flamur Nokës

Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Partia Demokratike disponon propozimin që Kryetari i Bashkisë së Hasit i ka bërë Këshillit Bashkiak për të nderuar një vrasës si Gafurr Mazreku me titullin më të lartë që mund të japë pushteti lokal.

Nderimi i një deputeti që ka përdorur armën brenda sallës së Parlamentit kundër Azem Hajdarit është modeli që Edi Rama ka ndjekur që kur ka ardhur në pushtet.

Është modeli që nderon dhe i jep pushtet kriminelëve në parlament, qeveri dhe bashki, siç është rasti i Elvis Roshit, Mark Frrokut, Arben Ndokës dhe të tjerëve si ata.

Është modeli që mbron krimin të lidhur me qeverinë, siç është rasti i saimir Tahirit dhe Agron e Fatmir Xhafës.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar për të hënën, prandaj ne i bëjmë sot thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz që vret për herë të dytë Liderin e Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari.