Published On: Enj, Qer 14th, 2018

Derhemi dhe Arbana ia thonë në sy Veliajt: Mos cëno asnjë centimetër nga trualli i Teatrit

Arben Derhemi, actor i njohur i skenës shqiptare, u shpreh sot në takimin e artistëve me kryebashkiakun Erjon Veliaj se komuniteti i artit nuk do të lejojë të preket asnjë centimetër nga godina aktuale e teatrit.

Derhemi tha se diskutimi mes komunitetit të artistëve dhe kryebashkiakut do të nisë nëse garantohet që nuk shembet godina.

“Falenderoj artistët e Operas që erdhën këtu sot. Do ishte mirë që të kishin ardhur në protestat tona dhe të mos na linin vetëm.

Nuk e di pse keni ardhur sot, por gjithsesi e vlerësoj. Kemi biseduar me shokët dhe miqtë, kolegët gjithashtu dhe kemi arritur në konkluzionin që ca e duan të verdhë, ca të bardhë e ca të kuq.
Ne nuk cedojmë që çdo centimetër i teatrit kombëtar, është vend i shenjtë. Ai nuk do të cënohet, e ka thënë edhe Ndrenika është Jeruzalem.

Aty fillon dhe aty mbaron konsensusi me ne. Në rast se bisedimet fillojnë në momentin që territori nuk cënohet, ne aty po deshe ulemi dhe hamë ndonjë darkë e pimë ndonjë gotë verë. Sa për tironsit, tironsit duhet të kenë një identitet.

Kullat 40 katëshe dhe 60 katëshe, janë mungesë kulture dhe mungesë vizioni”, tha Derhemi.

Ndërkohë Artisti i Popullit, Reshat Arbana, tha se jemi kundër cënimit arbitrar të godinës!

“Teatri duhet të mbetet aty. Unë nuk e di se sa mund te shkojë aty si vlerë. Ti lemë këtë njerez të ushqejne me emocione popullin.

Nese do të vazhdoni të flisni, mendojeni me hollë këtë punë. Me 200 vetë nuk do arrini kurrë në diçka. Restaurimi është i vështire pasi gjatë një shfaqjeje që dhamë në teater nuk rrihej nga të ftohtit si në skene si në sallë. Kullat do të duken sikur do të na bien mbi kokë”, tha ai.