Debati/ Holanda kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë: Kanë probleme… -Albpress Daily News
Published On: Mër, Maj 16th, 2018

Debati/ Holanda kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë: Kanë probleme…

Një portal holandez, FD, paralajmëron se Holanda mund të bllokojë hapjen e negociatave mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Holanda është një nga vendet anëtare të BE-së, që është skeptike me zgjerimin.

“Thuajse të gjitha partitë besojnë se Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Kosova janë shumë larg”, raporton portali në fjalë, referuar një debati parlamentar me kryeministrin Mark Rutte përpara Samitit të Sofjes.

Në shkrim thuhet se deputetët kanë vlerësuar se Maqedonia e Shqipëria kanë probleme shumë të mëdha, veçanërisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa i kanë drejtuar një apel BE-së që të mësojë nga gabimet e të shkuarës, për të mos bërë të njëjtën gjë si me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Vetëm D66, ishte pro hapjes së negociatave, por edhe ajo ishte kundër një anëtarësimi të shpejtë.
PVV e ekstremit të djathtë tha se nuk bëhet fjalë fare për zgjerim me “Shqipërinë islamike”.

Rutte nga ana e tij tha se kërkon që vendet kandidate të plotësojnë strikt kushtet përpara se të ndërmerret ndonjë hap tjetër.

Rutte i premtoi parlamentit që të ndalojë pranimin e përshpejtuar në axhendën e Samitit të Sofjes.