Published On: Die, Pri 1st, 2018

Dalin rezultatet e testimit me shkrim të infermierëve për Tiranën

Shpërndaj
Tags

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, pas korrigjimit të testeve menjëherë pas konkursit, dolën rezultatet e testimit me shkrim të infermierëve, fizioterapistëve, teknikëve të qarkut të Tiranës.

Kandidatët që kaluan fazën e parë pas aplikimit në platformën  http://www.infermierepershqiperine.al u testuan të shtunën në fazën e dytë dhe përfundimtare, atë të testimit me shkrim.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër procesin e testimit në ambientet e Universitetit Mjekësor, ku vetëm për Tiranën u testuan 526 kandidatë, infermierë, fizioterapisë dhe teknikëve të imazherisë.

“Të gjithë hapat e konkursit kanë qenë transparente dhe me kënaqësi konstatoj se procesi sot ka shkuar shumë mirë. Rezultatet përfundimtare do të dalin nga mbledhja e pikëve të dosjes së gjithsecilit kandidat të cilat tashmë janë të shpallura, me pikët e grumbulluara nga rezultati i testit me shkrim”.

Teza u hartua nga një komision I përbërë me pedagogë të fakultetit të infermierisë që e kanë elaboruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Pas përfundimit të testimit, duke ndjekur procedurën transparente nëpër të cilën ka kaluar ky proces prej fillimit, u bënë publike përgjigjet e tezës së infermierëve, në mënyrë që secili kandidat të ketë mundësi të shohë përgjigjet për të kuptuar menjëherë pikët e marra.

Testi ishte “I verbër” dhe vetëm pas korrigjimit, në prezencë të komisionit, teza çlirohet nga barcodi dhe rezultatet e sakta janë online.

Ecuria e procesit

Menjëherë pas shpalljes së platformës www.infermierepershqiperine.al kandidatët e interesuar aplikuan online dhe çdo hap I procesit ka patur transparencë maksimale.

2450 aplikues u regjistruan në platformë për të konkuruar për 416 vende të lira pune në pozicionet infermierë, fizioterapeut dhe teknikë imazherie në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në të gjithë vendin.

Fazën e parë e kaluan 1706 kandidatë, të cilët u renditën sipas vlerësimit të dosjeve të gjithsecilit.

U ndoqën të gjitha procedurat e animimit dhe verifikimit të dokumentacionit dhe komisionet e ngritura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale verifikuan çdo ankesë. Në përfundim të procesit, para fillimit të testimit të parë të Tiranës, nga 1706 kandidatë ankesat kanë qenë zero!

Pas Tiranës, testimi do të kryhet në Shkodër me datë 3 Prill për qarqet: Shkodër, Durrës, Lezhë, Dibër dhe Kukës.

Testimi tjetër do të jetë në Elbasan me datë 4 Prill për qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat.

Me datë 5 Prill përmbyllen testimet në Vlorë, për qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

“Ne synojmë që në përfundim të këtij procesi, kandidatët më të mirë do të punësohen në strukturat tona publike, për herë të parë përmes një konkursi transparent, me bazë merite për dijet dhe formimin e secilit kandidat”, tha Ministrja Manastirliu.