Published On: Mar, Dhj 19th, 2017

“Çmendet” qeveria, jep edhe kalatë me koncesion

Qeveria ka dërguar në Parlament një projektligj të ri, i cili i hap rrugën dhënies me koncesion të monumenteve të kulturës. Projektligji për trashëgiminë kulturore dhe muzetë është hartuar nga Ministria e Kulturës.

Në nenin 182, ai thotë:

“Pasuritë e paluajtshme kulturore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore”.

Sipas draftit, shfrytëzimi privat duhet të respektojë regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave kultutore të pasurisë që jepet me koncesion.

Por si do të bëhet dhënia me koncesion?

Projektligji parashikon ngritjen e një Komisioni kombëtar për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, i cili drejtohet nga ministrja e Kulturës dhe përbëhet nga 19 vetë.

Është ky komision, që do të hartojë dhe do të propozojë te ministri i Kulturës marrëveshjet e partneritetit publik-privat për monumentet e kulturës, raporton “t.ch”.

Dhënia me koncesion e monumenteve të kulturës është kundërshtuar nga ekspertët, të cilët kanë paralajmëruar se privatët mund të dëmtojnë vlerat e tyre kulturore. Po kështu, një tjetër shqetësim ka qenë ai i krijimit të monopoleve nga shfrytëzimi i hapësirave kulturore për biznes.

Tentativat për të dhënë me koncesion monumentet e kulturës kanë nisur që në vitin 2012. Në atë kohë, Partia Socialiste në opozitë e kundërshtoi fuqishëm nismën, ndërsa qeveria socialiste po i hap rrugë koncesioneve edhe në fushën e monumenteve të kulturës.