Published On: Mar, Qer 12th, 2018

Çfarë do të bëjnë artistët pas të premtes? I madhi Mirush Kabashi zbulon skenarin…

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ me gazetaren Eni Vasili, aktori Mirush Kabashi teksa do diskutohet rreth debatit për prishjen e Teatrit Kombëtar, deklaroi se artistët kanë vendosur të hynë në grevë urie.

Pjesë nga intervista

Godina teatrit po shkon drejt shëmbjes, çfarë besoni se mund ta ndalojë këtë gjë?

Rreth 20 vite më përpara ka qenë vetë PS që e ndaloi, por asokohe nuk kishte këtë pozicion Edi Rama. Ajo godinë duhet rikonstruktuar ashtu sikurse e tha edhe Ministrja e Kulturës me gojën e saj.

Keni lënë një afat deri të premten për qeverinë. Çfarë ndodh pas të premtes mbrëma?

Parmbrëmë dëgjova që kolegët kishin vendosur të bëjnë grevë urie për herë të dytë për të njëjtin shkak.

Jeni dakort me këtë gjë?

Kanë të gjithë të drejtën e ligjit, detyrimit të profesionit të tyre dhe të pasionit tyre që ta bëjnë këtë gjë. Nuk është profesion teatri, është pasion, është dedikim.

Cilët janë artistët që janë shprehur të gatshëm për të hyrë në këtë grevë?

Nuk e di, por 2-3 artistë të teatrit thanë se janë shumë që e kanë ndarë mendjen për t’u futur në grevë.

Ju do të bëheni pjesë e grevës?

Jo, unë jo. Edhe z.Ndrenika nuk do ja kisha këshilluar. Janë mosha dhe kushtet shëndetësore. Konfliktualiteti i rrugës nuk i shkon artit. Ata kanë të drejtën të bëjnë këtë grevë, këtë hap të fundit. Është detyrim i tyre. Ështe arti që përfaqëosn një komb.

Mendoni se greva e urisë do zgjidhë gjë?

Nuk e di nëse do të zgjidhë. Demokracia nuk është privilegj, është përgjegjësi.

Mungon shoqëria në protestat tuaja?

Ka një aksion qytetar, nuk mund të pretendojmë për të shumtë në numër.

“Nuk janë lutje, janë kërkesë për të drejtën tonë”, Mirush Kabashi: Rama ka krijuar një armiqësi ndaj artistëve

Kabashi teksa do diskutohet rreth debatit për prishjen e Teatrit Kombëtar, deklaroi se kryeministri Rama ka krijuar një lloj armiqësie ndaj artistëve.

Koha është e maskarenjve, por atdheu, teatri është i yni dhe i shqiptarëve, ishte fraza juaj. Besoni vërtet se do e shpëtoni godinën?

Të rrëmben profesioni. Edhe pse kam 50 vjet karrierë skenike, nuk më kishte shkuar mendja se do bija në këtë absurditet ku luftojmë për teatrin. Teatri ndiqet nga shumë spektatorë. Kemi shumë mbështetje. Edhe ju masmedia e konsideroni si një problem mjaft të madh dëmin që po i bëhet teatrit, besoj në mbështetjen që ka për ruajtjen e teatrit. Ne luftojmë për të drejtën tonë.

Mendoni që jeni të parëndësishëm, të papërfillshëm te kryeministri, pasi lutjet tuaja janë në vesh të shurdhër?

Nuk janë lutje, janë kërkesë për të drejtën tonë. Në Evropë njihemi përmes bëmave të liga, të drogës, krimit. Të neglizhosh kulturën është e turpshme.

Pse nuk e dëgjon zërin tuaj kryeministri?

Ka krijuar një lloj armiqësie ndaj artistëve. Edhe 20 vite më parë ai ka tentuar këtë gjë. Kryeministri më ka shkruar një herë për ditëlindje dhe atëherë i kam ruajtur numrin dhe po në atë numër i kam shkruar kur u hapën negociatat dhe i thashë: ‘Urime, dhe uroj që mosmarrëveshjet e reja ti zgjidhim mbi bazat e argumentit, arsyes dhe respektit reciprok. E trupshme që kryeministrinë e nderoi një figurë si Robert Ndrenika dhe kryeministri nuk i dha fjalën. Artistët kultivohen në dekada, janë përfaqësues të ADN së një Shqipërie. Jemi ndjerë të ofenduar nga kjo sjellje ndaj Ndrenikës.