Published On: Pre, Gus 4th, 2017

Bujar Nishani rikthehet në PD/Ja ç´mendon për zërat që kërkojnë drejtimin e partisë nga Berisha dhe një mesazh për Bashën

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se do të kontribuojë në Partinë Demokratike, pa pasur ofiqe apo poste. Dhjetë ditë pasi zyrtarisht la detyrën e Presidentit të Republikës, duket se ai ka vendosur të rikthehet në rradhët e partisë më të madhe të opozitës, anëtar i së cilës ka qenë prej më shumë se 17 vitesh.
“Në kulturën time politike dhe civile nuk është e domosdoshme të kesh poste dhe ofiqe që të shërbesh dhe kontribuosh. Mjafton të kesh dëshirën, vullnetin e forcën shpirtërore dhe bëhesh i vlefshëm”, shprehet Nishani në një intervistë për Panorama, ndërsa thekson se i është mirënjohës PD që ka investuar politikisht për të.
Dhe në këtë kuadër, ish-Presidenti ka vendosur të japë kontributin e tij politik pranë kësaj partie, por pa kërkuar poste.
Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 25 Qershorit, ndërsa rezultati për këtë forcë politike është ndër më negativët që nga viti 1991.
Pas kësaj humbjeje të thellë, jo pak emra të njohur në rradhët e demokratëve hodhën idenë e rikthimit të Sali Berishës në krye të kësaj partie, kjo referuar edhe përplasjeve të krijuara mes kreut Lulzim Basha dhe disa prej figurave kryesore ndër vite në këtë forcë politike.
I pyetur për një rikthim të mundshëm të Berishës, ish-Presidenti Nishani, nuk nguron të thotë se mbështet çdo qëndrim, vendim, veprim dhe qasje të ish-Kryeministrit.
“Por, përsa i takon drejtimit të PD, aktualisht anëtarësia e PD i dha besimin për një mandat të dytë z. Basha, të cilit i uroj suksese në këtë mision”, shprehet Nishani.