Published On: Pre, Pri 27th, 2018

BSH: Të ardhurat e familjeve shqiptare shënuan rënie

Share This
Tags

Niveli i të ardhurave të familjeve shqiptare ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit, ndërsa niveli i shpenzimeve ka vijuar prirjen rritëse, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime), raportoi Banka e Shqipërisë në raportin për Stabilitetin Financiar në vend.
Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve kryhet çdo gjashtë muaj mbi një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, rreth 56% e të cilave jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.

Sipas Bankës gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rritje në terma vjetorë, mbështetur kryesisht nga punësimi në sektorin shtetëror.

Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por në rënie krahasuar me një vit më parë.
Në 37% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) në formën e produkteve të kredisë dhe në 63% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht para në dorë.

Qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: për konsum (42% e rasteve të huamarrjes), blerje/ riparim prone (26% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (12% e rasteve).

Gjatë periudhës së vrojtuar, peshat e rasteve të huamarrjes për konsum dhe blerje prone kanë shënuar rënie. Në tepricën e huamarrjes, rreth 46% e tepricës së huasë deklarohet për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 31% për ‘zhvillimin e një biznesi’ dhe vetëm 6% për ‘qëllime konsumi’. Në përbërje e tepricës sipas monedhës rezulton se 92% e saj deklarohet në Lek dhe vetëm 8% në euro.

Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të huasë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar prirjen rënëse të normës së ponderuar të interesit të kredisë për individët. Shumica e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përkeqësim.
Shumica e familjeve (rreth 72%) nuk presin ndryshim të aftësisë paguese në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa pjesa tjetër, (pra ata që presin “përkeqësim” dhe ata që presin “përmirësim”), kanë rezultuar në numër të barabartë.

Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së parë të vitit 2018 ka rezultuar pothuaj në nivelin e mesatares afatgjatë por me prirje të lehtë rritëse, çka mund të sinjalizojë një gjallërim të kërkesës për kredi nga sektori i individëve. /Monitor