BIRN, Reporterët pa kufij: 3 familje kanë në pronësi 5 licenca transmetimi dixhital -Albpress Daily News
Published On: Mar, Mar 13th, 2018

BIRN, Reporterët pa kufij: 3 familje kanë në pronësi 5 licenca transmetimi dixhital

Shpërndaj
Tags

Përqendrimi i audiencës dhe i tregut e shtrembëron tregun e medias në Shqipëri. Mungesa e pluralizmit të krijuar nga kjo mund të dallohet në televizion dhe në radio por edhe në shtyp. Ky është një nga rezultatet e kërkimit tremujor të kryer bashkërisht nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Reporterë Pa Kufij (RSF). Rezultatet e “Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri” prezantohen sot në Tiranë. Ato hedhin dritë mbi tregun e shqiptar të medias duke publikuar se kush e ka nën pronësi dhe kush e kontrollon median.

MEDIA NËN PRESION

Siç tregon në detaje faqja e MOM, tregu i medias në Shqipëri është i kontrolluar nga një grup i vogël pronarësh mediaje me lidhje të forta politike. Në të njëjtën kohë, pak gazetarë dhe media të pavarura janë përballur shpesh me frikësim dhe abuzim verbal nga politikanët.

Përballur me pyetje mbi lidhjet e dyshuara të ministrit të tij të brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, Rama iu hakërrye gazetarëve në tetor 2017 gjatë një konference të sajuar për shtyp duke i quajtur ata ‘injorantë’, ‘helm’, ‘thashethemexhinj’, ‘sharlatanë’, dhe ‘armiq publik’. Denigrimi i medias shpesh shfaqet në retorikën e Ramës përgjatë viteve të fundit shoqëruar me një rritje të komunikimit të tij përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët. Retorika e Ramës shpesh mbart denigrime për median. Përgjatë viteve të fundit ai ka parapëlqyer gjithnjë e më shumë komunikimin përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët. Disa komentatorë kanë sugjeruar se pas gjuhës së pasur të përdorur kundër medias nga politikanët shqiptarë qëndron një ‘strategji sharjesh’, e cila synon të devijojë vëmendjen e publikut nga skandalet duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin atë si përpjekje për të delegjitimuar një grusht gjithnjë e më të vogël mediash dhe gazetarësh kritikë, të cilët nuk janë të kontrolluar drejtpërsëdrejti nga oligarkët dhe në mënyrë të tërthortë nga Rama, Meta, Berisha dhe klientët e tyre.

Rezultatet e projektit

Rezultatet e projektit janë të aksesueshme në shqip dhe anglisht në albania.mom-rsf.org. Kjo faqe interneti ofron informacion tërësor për publikun e gjerë mbi panoramën e medias në vend, duke përfshirë një databazë me mediat më të rëndësishme, kompanitë dhe pronarët e tyre si dhe interesat e tyre ekonomikë e politikë.

Kristina Voko, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Albania thotë se më në fund “miti se, pavarësisht problemeve, media shqiptare përfaqëson pluralizëm këndvështrimesh, është rrëzuar. Një grup i vogël familjesh mbërrijnë më shumë se sa gjysmën e audiencës dhe kanë mbi 90% të të ardhurave në tregun tonë të medias.”

“Pas shumë dekadash tranzicioni dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistët e shoqërisë civile brenda Shqipërisë, si dhe pas kontributeve të rëndësishme nga bashkësia ndërkombëtare, panorama e medias duket se po rrëshqet nga rruga drejt pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë“, shtoi Olaf Steenfadt, drejtori global i Projektit të RSF Monitori i Pronësisë së Medias. “Ne i bëjmë thirrje elitave të kuptojnë vlerën e një sektori mediatik me të vërtetë të shëndetshëm dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme, duke marrë parasysh edhe përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian. Projekti ynë mund të shërbejë edhe si një mjet monitorimi.”

Prezantimi në Tiranë sot vjen një javë pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës miratoi udhërrëfyesit dhe rekomandimet për 47 vendet e veta anëtare, përfshirë Shqipërinë, mbi pronësinë dhe pluralizmin e medias. Urška Umek, Administratore e Departamentit për Shoqërinë e Informacionit në Këshillin e Europës, citoi thirrjen drejtuar qeverive kombëtare për të promovuar transparencën e pronësisë së medias dhe shtoi: “Ne nxisim shtetet të zhvillojnë kuadër rregullator kurdo që është e nevojshme.”

PËRQENDRIM I LARTË NË AUDIENCËN E MEDIAS

Mbështetur nga një gamë e gjerë të dhënash, Monitori i Pronësisë së Medias tregon nivel shumë të lartë përqendrimi në tregun shqiptar të medias. Për shembull, katër pronarët kryesorë në segmentin e televizioneve arrijnë gjysmën e audiencës totale (mes 48.93% dhe 58,60% – bazuar në raportet e dy agjencive kërkimore ekzistuese, të dhënat e të cilave janë në konflikt me njëra-tjetrën).

Tre familje kanë nën pronësi pesë licenca transmetimi dixhital, nga të cilat një ka marrë tre. Kështu, autoriteti i rregullator i medias ka mbështetur në praktikë një monopol. Në radio, përqendrimi i audiencës është edhe më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqendrimi mund të dallohet vetëm te shtypi, ku katër pronarët kryesorë kanë një lexueshmëri të kombinuar prej 43.29%.

MOM ka matur gjithashtu edhe pronësinë ndërsektoriale të medias, TV, shtyp, radio dhe online, e cila zbuloi se të tetë pronarët kryesorë arrijnë një audiencë që varion nga 72,1% deri në 80.1%.

Në tërësi, këto shifra ilustrojnë një rrezik shqetësues të lartë për pluralizmin e medias në Shqipëri.

PËRQENDRIM I MADH NË TREG

Tregu shqiptar i medias është i vogël dhe i mbisaturuar, duke krijuar presione të ashpra ekonomike.

Nuk ka një listë zyrtare të medias së shtypur në vend por raportet thonë se ka më shumë se 200 tituj. MOM analizoi 12 të përditshme kombëtare dhe identifikoi një pronar që kontrollon 54% të tregut. Të katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit.

Pavarësisht se numri i lartë i mediave sugjeron një varietet sasior oferte, të dhënat financiare tregojnë se pjesa e luanit në të ardhura është e përqendruar në pak grupe mediatike nën pronësi familjare.

Përqendrimi brenda tregut të transmetimeve televizive pa pagesë te katër pronarët më të mëdhenj është 89.6% – ku dy më të mëdhenjtë më vete kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut (71.7% të të ardhurave) – dhe rritet në 94% në rast se përfshihen edhe rrjetet e transmetimit dixhital si dhe transmetuesi publik.

MASAT RREGULLATORE MBROJTËSE MUNGOJNË

Megjithëse tregu i medias audiovizuale është i rregulluar me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin rregullator, Autoritetin e Medias Audiovizuale, si nën ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të aktorëve politikë dhe korporativë.

Disa rregulla specifike ekzistojnë në ligjin për median audiovizive, të cilat kufizojnë sasinë e aksioneve dhe të drejtave të votës në çdo kompani të dytë televizive, si dhe mbi sasinë e reklamave, por këto kufizime duken opake dhe në ligj nuk ka një përkufizim të qartë të monopolizimit, e aq më pak, të zbatimit të ligjit.

Kërkimi i MOM jep një numër rastesh, ku, përmes mjeteve të pronësisë brenda familjes dhe strukturave korporative të ndryshme, synimi fillestar i ligjit u anashkalua me lehtësi.

Një nen kyç i ligjit, 62/3, i cili kufizonte aksionet që një person apo ent mund të kontrollonte në një televizion kombëtar në masën 40%, u anulua nga Gjykata Kushtetuese në maj 2016.

VETËCENSURA

Sipas metodologjisë kërkimore të MOM, kontrolli politik mbi mediat në Shqipëri vlerësohet si i lartë. Audienca e pronarëve me lidhje politike varion nga 65,18% (të dhënat e Abacus) në 75,86% (të dhënat e Telemetrix).

Për shkak të presionit që vjen nga pronarët e medias me interesa politike dhe ekonomike, shumë gazetarë shqiptarë përdorin vetëcensurën. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura të pronarëve të medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë reklamuesit e mëdhenj korporativ dhe institucionet qeveritare. Gjithsesi, asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një ndikim aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës se sa interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve. Në një vrojtim, afërsisht 80% e gazetarëve në Shqipëri e vlerësuan negativisht sigurinë e tyre në punë, duke e lidhur qartazi me kushtet e punës përdorimin e gjithëpërhapur të vetëcensurës si masë mbrojtëse.