Basha reagon sërisht për librat: duhet të jepen falas, paratë e fasadave të investohen për dijen -Albpress Daily News
Published On: Mar, Gus 29th, 2017

Basha reagon sërisht për librat: duhet të jepen falas, paratë e fasadave të investohen për dijen

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar sërisht në lidhje me librat për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit”.

“Mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore anembanë vendit. Dy shembuj: paketa e librave të detyrueshëm për klasën e parë është shtrenjtuar me 33% këto 4 vjet, nga 11 mijë e 790 lekë në vitin shkollor 2012-2013 në 17 mijë e 760 lekë në 2015-2016. Për të njëjtën periudhë, paketa e librave të detyrueshëm për klasën e gjashtë është rritur me 23 për qind, nga 38 mijë e 70 lekë në 48 mijë e 920 lekë”, shkruan Basha.
Kreu demokrat thotë se kjo rritje çmimesh ka rritur barrën ndaj prindërve ,e cila rëndon edhe më shumë sepse të ardhurat reale mesatare të familjeve shqiptare kanë rënë prej inflacionit dhe ngrirjes së pagave.

“Shpërfillja e arsimit është dëm i pariparueshëm për të ardhmen e vendit. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Për këtë, mjafton që qeveria të investojë për libra dhe mjete shkollore paratë që çon për fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”, tha Basha.