Published On: Enj, Nën 9th, 2017

Basha: Nuk do të lejojmë që Rama të kapë prokurorinë

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka dhënë një sinjal të qartë kësaj here në parlament në lidhje me atë që shumë shpejt do të jetë debati kryesor në skenën politike, mandatin e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe se kush do ta drejtojë organin e akuzës në Shqipëri.

Duke ju referuar kohës kur diskutohej ligji për Byronë e Hetimit, Lulzim Basha u shpreh se falë ndërhyrjes së opozitës, qeveria e Ramës u ndal në përpjekjen për të ngritur me ligj një strukturë të ngjashme me prokurorinë që do të godiste këdo me pëlqimin e tij. Por sipas Bashës, i njëjti skenar po tentohet edhe tani. Lideri i demokratëve foli për një tentativë për të “privatizuar” prokurorinë, një akt të cilin opozita nuk do ta lejojë u shpreh kryetari i PD.

Ne bëmë një betejë për Reformën në Drejtësi që të mos bëhej ashtu siç donte Edi Rama. Imagjinoni sikur Byroja e Hetimit të ishte në varësi të MB, në varësi të Tahirit, do ishte cenim i sigurisë kombëtare. Tani që skandali Tahiri-Habilaj e ka nxjerrë zbuluar, kërkon të ketë edhe prokurorinë private. Nën drejtimin politik të Fatmir Xhafës, kjo do të ishte një mburojë për të dhe shpurën e tij dhe një mashë për të kërcënuar shantazhuar dhe persekutuar këdo që bëhet pengesë për të dhe kupolën e tij. Qe policët e ndershem të bëjnë punën e tyre, duhet që qeverisja të çlirohet nga politikanët që i shërbejnë krimit. Njerëz si Saimir Tahiri e kanë vendin në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Brendshme. Këta njerëz duhet të kenë në duar prangat e drejtësisë dhe jo çelësat e pushtetit. Nëse doni të kuptoni këtë, imagjinoni SHKB-në e Tahirit që rrëmbyen në mes të natës Dritan Zaganit dhe e mbyllën në qeli për Habilaj”, tha Basha.

Kujtojmë se mandati 5 vjeçar i Adriatik Llallës përfundon në dhjetor të këtij viti. Pritet që muajin e ardhshëm të ketë debate të forta politike, nëse Llalla duhet të qëndrojë apo të largohet. Deri më tani, socialistët janë ata që e kanë shprehur qartë se nuk e duan më në këtë post Adriatk Llallën, ndërsa demokratët ende nuk kanë folur zyrtarisht dhe me një qëndrim të unifikuar në lidhje me këtë çështje.