Basha: Fituam betejën me Tahirin, Xhafaj duhet të largohet. Ja skenari kriminal i Ramës -Albpress Daily News
Published On: Enj, Qer 7th, 2018

Basha: Fituam betejën me Tahirin, Xhafaj duhet të largohet. Ja skenari kriminal i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar betejë të fituar atë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt nga ky post.

Basha theksoi se Tahiri sot është jashtë politikës, falë këmbënguljes së opozitës.

“Beteja me Saimir Tahirin ka marrë fund me sukses. Tahiri është jashtë politikës, po të ishte në dorë të Ramës ai do të ishte akoma deputet. Fati i Tahirit u vulos kur tradhtoi fatin e njerëzve, kur shndërroi policinë e shtetit në mbrojtje të trafikut të drogës. Çdo minutë e qëndrimit të tij në krye të ministrisë së Brendshme dëmton provat. E gjithë koha e ministrit të Brendshëm është vënë në funksion të Agron Xhafajt dhe vetes së tij’, deklaroi Basha.

Ndërkohë ai e cilësoi skenar kriminal deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama, vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi ku ishte i përfshirë vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sipas tij, asnjë laborator nuk mund të nxjerrë analizat nëse audiopërgjimi ishte apo jo i vërtetë. Sipas tij deklarata e Ramës ishte marrje në mbrojtje e trafikantëve.

‘Nuk mund të pretendojë ky njeri të bëjë vettingun dhe vetë të ketë vëllain trafikant droge. Ky është koka e Ministrisë së Brendshme. Vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi Rama tha se sipas të dhënave të mia, doli e tha që audipërgjimi është i pavërtetë. Menjëherë pas kësaj u kërcënua gazetari, u kërcënua dëshmitari. Ky është një akt kriminal. Brenda 24 orëve Prokurori ndërmori 40 veprime, pranoi mostrat siç ja servirën, siç ua dha Agron Xhafaj ‘, tha Basha.

Në vijim, kreu demokrat i është përgjigjur Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhhafaj, i cili tha se pas daljes së analizave të audipërgjimit ku përfshihet vëllai i tij, njëri mes tij ose Bashës duhet të largohet nga politika.

“Deklarata e Xhafës është një deklaratë sa e pafytyrë aq dhe dëshpëruese. Xhafaj i cili është fshehur nga deklarata e PD-së, është kapur pas një fije të perit që i dha Edi Rama, pasi e siguroi për audiopërgjimin. Përgjigja e audiopërgjimit nuk mund të dalë brenda 24 orëve. Fatmir Xhafaj ka një vëlla të dënuar si pjesëtar dhe ndërmjetësuar të një bande të trafikut të drogës. Gabimi i Rinisë për trafik droge, gabimi i përdhunimit, janë teza mbrojtjeje që bëhen nga Rama dhe Xhafa’, deklaroi Basha.