Banka Qendrore e Turqisë rrit normën e interesit për të frenuar krizën e lirës turke -Albpress Daily News
Published On: Enj, Sht 13th, 2018

Banka Qendrore e Turqisë rrit normën e interesit për të frenuar krizën e lirës turke

Banka Qendrore e Turqisë ka rritur ndjeshëm normën e saj të kreditimit, për të frenuar rënien e mëtejshme të monedhës së saj. Norma e riblerjes njëjavore(repo) u rrit në 24 për qind nga 17.75 për qind. Pritshmëria e rritjes së normës sipas ekonomistëve të anketuar nga Thomson Reuters, pritej të arrinte në 22 për qind. Lira turke shënoi një rritje tejet të lartë, prej 5.3 për qind kundrejt dollarit amerikan.

Edhe indekset e aksioneve të tregtuara në Stamboll shënuan rritje, ku mund të përmendim për shembull indeksin BIST 100 që u rrit me mbi 1.1 për qind.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Turqia ka qenë duke luftuar me inflacionin në rritje, i cili shkoi afërsisht në 18 për qind gjatë muajit gusht. Lira, e cila mori një goditje shumë të fortë nga mosmarrëveshjet e krijuara midis Presidentit Donald Trump dhe homologut të tij turk, ka humbur rreth 38 për qind të vlerës së saj që nga fillimi i këtij viti.

Banka Qendrore deklaroi mëngjesin e ditës së sotme se “ zhvillimet e fundit në lidhje me perspektivën e inflacionit” evidentuan “risqe të mëdha për stabilitetin e çmimeve”. Ajo tha gjithashtu se do të përdorte të gjitha instrumentet në dispozicion për të arritur stabilitetin e çmimeve dhe se masat shtrënguese janë të nevojshme derisa inflacioni të tregojë një përmirësim të dukshëm.

Vendimet e politikëbërësve për të rritur normat e interesit u mor menjëherë pasi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e kritikoi rritjen e normave të interesit, duke i cilësuar ato si një “mjet shfrytëzimi”.

Në një fjalim, ai përsëriti pikëpamjen e tij, që shkon kundër asaj të disa prej ekonomistëve më të shquar të vendit, se janë pikërisht normat e larta të interesit ato që ushqejnë inflacion të lartë.

Rritja e normës së Turqisë konsiderohet si një ndër masat më të rëndësishme për ta drejtuar vendin në rrugën drejt qendrueshmërisë dhe rikrijimit të besueshmërisë në politikën monetare. Sipas Brett Diment në Aberdeen Standard Investments, një lëvizje e tillë ishte emergjente dhe nëse ajo nuk do të ishte marrë sot, lira do të binte akoma më shumë dhe mund të shkaktohej edhe fillimi i një krize bankare.

Alvaro Ortiz Vidal-Abarca, Kryekonomist për Turqinë në bankën spanjolle BBVA, e cilësoi këtë vendim si të duhurin dhe se duhej të mirëpritej nga të gjithë. /Monitor/

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of