Published On: Hën, Maj 21st, 2018

Audio-përgjimi i Xhafajt /Ja çfarë deklaroi në prokurori Gazmend Bardhi…

Gazmend Bardhi, ekspert ligjor pranë Partisë Demokratike, u paraqit sot në prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me hetimin që ka nisur pas publikimit të audio-përgjimit, ku shfaqet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Prokuroria, Bardhi tha se ka deklaruar të gjitha ato që ka thënë në publik, dhe i bën thirrje organit të akuzës të çoj hetimet në drejtimin e duhur.

“Jemi marrë ne në pyetje që kemi denoncuar rastin, dhe ende nuk është marrë në pyetje vëllai ministrit të Brendshëm, që është i denoncuar dhe i dyshuar si trafikant droge.

Ende nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm, por edhe kryeministri i cili ka krijuar një alibi me një ekspertizë dhe thotë se zëri nuk është i vëllait i ministrit.

Prokuroria duhet të kishte sekuestruar ekspertizën pasi kjo ndihmon dhe hetimet.

Prokuroria duhet të kishte sekuestruar materien e kryeministrit. Duhet të futen hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji, dhe të ndëshkohen në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në këtë çështje.
Ne kemi dhënë sqarimet tona për faktet dhe provat që janë bërë publike”, tha Bardhi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thirri për dëshmi në lidhje me audioregjistrimin e vëllait të ministrit Xhafaj, dy deputetët e PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji, si dhe ekspertin ligjor, Gazmend Bardhi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi një oficer të Policisë Gjyqësore që të sekuestronte audioregjistrimin. Materiali është dërguar jashtë vendit për ekspertizë të specializuar, për të provuar nëse ka pasur ndërhyrje në të.

Gjithashtu, në Prokurori është administruar edhe një material zanor nga Agron Xhafaj, që të bëhen krahasimet për zërin nëse realisht i përket atij.