Audio-përgjimi i Xhafajt/ “Me 10 kg mos hajde, unë flas 100 e sipër”, Salianji zbardh… -Albpress Daily News
Published On: Hën, Maj 21st, 2018

Audio-përgjimi i Xhafajt/ “Me 10 kg mos hajde, unë flas 100 e sipër”, Salianji zbardh…

Deputeti demokrat Ervin Salianji ishte sot në Prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me audio-përgjimin tashmë të publikuar ku shfaqet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në një bisedë mbi trafikun e drogës.

Duke folur për mediat pas dëshmisë së dhënë, Salianji u shpreh se në disa pjesë të tjera të audio-përgjimit ai ka fakte që implikohet Agron Xhafaj.

Salianji pohoi se kishte treguar se si i kishte rënë në dorë audio-përgjimi, por që nuk mund të bëhen publike pasi janë pjesë e sekretit hetimor.

“Gjithçka dimë nga rrethanat dhe faktet është se Agron Xhafaj është i përfshirë në aktivitet të paligjshëm kriminal, dhe është një nga bosët e drogës në Shqipëri.

Është e qartë si drita e diellit që qeveria është e përfshirë në mbrojtjen e krimit dhe jo të qeverisë. Gjithçka që kishin pyetje, ka të bëjë për hetimin. Por nuk mund të flas për këtë, pasi është pjesë e sekretit hetimor.

Ka një deklarim nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili më ka sjellë një pjesë të audio-përgjimit, ku Agron Xhafaj bënte pazare droge. Nuk janë akuza politike. Aty dëgjohet zëri i Olldashit, dëshmitarit Albert Veliu, dhe vëllai i Xhafajt, Agron Xhafaj që thoshte; ‘me 10 kg mos më hajde, unë flas për 100 e sipër’.
Kam pjesë të tjera të audio-përgjimit ku implikohet Agron Xhafaj”, tha Salianji.