Published On: Mër, Shk 14th, 2018

Arta Marku tek Krimet e Rënda: Pavarësi prokurorëve, por mos kaloni në anarki

Kryeprokurorja Arta Marku ka qenë ditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është bërë analiza vjetore. Gjatë fjalës së saj, Marku ka kërkuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda që hetojnë dosjet që ndodhen në këtë institucion.

“Për vetë specifikën e veprave penale që janë objekt i ndjekjes penale nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku shpesh ndërthuren organizata, apo grupet kriminale transnacionalë, kërkohen energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Marku.

Po ashtu, kryeprokurorja u ka bërë thirrje prokurorëve që të përshpejtojnë hetimet, por sipas saj pavarësia e tyre të mbetet e pacënuar.

“Kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë si dhe zbatimin rigoroz të rregullave procedurialë dhe rregullave të parashikuar në ligjin për organizimin e prokurorisë”, deklaroi ajo.