Akuzat ndaj Xhafajt/ PS, gati skenari për puç dhe puçistë...  -Albpress Daily News
Published On: Die, Maj 20th, 2018

Akuzat ndaj Xhafajt/ PS, gati skenari për puç dhe puçistë… 

Partia Socialiste duket se po shkon larg me reagimet e saj në mbrojtje të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i akuzuar se ka mbrojtur vëllain e tij, Agron Xhafaj, për të cilin PD ka publikuar një audio-përgjim, duke e akuzuar si drejtues të organizatës së trafikut të drogës në Vlorë. 

Përveç marrjes në mbrojtje të Xhafajt, socialistët kanë përgatitur kundërsulmin, duke e nxjerrë të gjithë situatën e akuzave ndaj Xhafajt si një skenar për puç shteti. 

Dhe në skenarin e socialistëve, veç politikanëve kryesorë të opozitës, të përfshirë janë edhe gjyqtarë të korruptuar, të cilët do të dalin jashtë sistemit të drejtësisë për shkak të Vettingut. 

“Ne do të kishim marrë masa të ashpra ndaj kujtdo nëse një e një mija e kësaj historie me babalën do të ishte e vërtetë. Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafës si ministër vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit të organizuar. Dhe në këtë inskenim janë të përfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj, por janë të përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, të cilët duke qenë se Vettingu do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të mos lejuar vijimin e aksionit “Forca e Ligjit” dhe për të mos vijuar punën që kemi nisur”, deklaroi Taulnat Balla, numri dy i Partisë Socialiste. 

Nuk dihet nëse socialistët do të zgjerojnë rrethin e atyre që do ti akuzojnë si të përfshirë në një skenar të tillë apo se nga janë të frymëzuar për të skenarë të tillë.