Aksidenti, PDIU i përgjigjet PD/Bëni opozitë me ngjarje tragjike -Albpress Daily News
Published On: Sht, Gus 12th, 2017

Aksidenti, PDIU i përgjigjet PD/Bëni opozitë me ngjarje tragjike

PDIU ka reaguar përmes një deklarate në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku deputeti i saj, Aqif Rakipi, u dorëzua në polici, ndërsa pranoi se kishte aksidentuar me mjetin e tij një kalimtar në aksin rrugor Vorë-Tiranë.
PDIU, duke i shprehur ngushëllimet familjes, i bën thirrje Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohen politikisht për zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, përmes deklaratës i jepet përgjigje edhe reagimit të PD-së, duke e cilësuar atë si mjerim, pasi po tenton të bëjë politikë dhe opozitë me një aksident tragjik, ndërkohë që është ende pjesë e qeverisë.
“PD, në mjerim, kërkon të bëjë politikë e opozitë me një aksident tragjik e nuk sheh që është ende në qeveri; është për të ardhur keq që përpiqet mjerisht të abuzojë me raste aksidentesh e fatkeqësish. PDIU i kërkon Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohet politikisht në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike. i shprehim ngushëllime familjes së të ndjerit për këtë fatkeqësi tragjike”, thuhet në deklaratën e PDIU.