A do të strehohen emigrantët në Shqipëri? Zv.ministrja e Ramës: I kemi mundësitë -Albpress Daily News
Published On: Hën, Qer 11th, 2018

A do të strehohen emigrantët në Shqipëri? Zv.ministrja e Ramës: I kemi mundësitë

E përmendur nga mediat e huaja si një prej vendeve që mund të strehojë emigrantë, Shqipëria nuk ka ende një kërkesë zyrtare nga Bashkimi Europian. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda konfirmon për Televizonin Klan se deri tani, qeverisë shqiptare nuk i është përcjellë një kërkesë e tillë nga partnerët.

“Deri në këto momente nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga vendet të BE-së për ngritjen e një qendre të tillë në Republikën e Shqipërisë”.

Do t’i takojë qeverisë shqiptare të marrë një vendim nëse nga Brukseli do të kërkohet që në Shqipëri të ngrihet një kamp emigrantësh. Sipas Zv/Ministres së Brendshme vendi ynë i ka të gjithë kapacitetet për të pritur dhe trajtuar emigrantët e paligjshëm që vijnë nga rajonet në konflikt.

“Pavarësisht numrit në rritje që ka pasur të emigrantëve të paligjshëm që kanë ardhur nga vendet e treta, kapacitetet tona deri tani e kanë përballuar këtë situatë”.

Media prestigjioze ndërkombëtare duke cituar burime brenda BE-së shkruajtën se përzgjedhja e Shqipërisë apo Maqedonisë bëhet për të dekurajuar emigrantët, pasi kalimi në shtetet anëtare do të jetë i vështirë.

Që prej Janarit, në Shqipëri kanë hyrë 2300 emigrantë të paligjshëm me një fluks në rritje muajt e fundit.

Pak ditë më parë çështja e emigrantëve ishte një nga temat kryesore të takimit mes Kryeministrit Rama dhe kancelarit Austriak, Sebastan Kurz, i cili premtoi mbështetje financiare për Shqipërinë në përballimin e kësaj çështje. /Tv Klan/