600 të prekur nga fruthi në Shqipëri -Albpress Daily News
Published On: Mër, Pri 25th, 2018

600 të prekur nga fruthi në Shqipëri

Arrin mbi 600 persona numri i të prekurve nga virusi i fruthit në vendin tonë.
Ndonëse ka një rënie të intensitetit të të prekurve krahasuar me muajin janar kur u shfaq ky virus, çdo ditë në QSUT mbërrijnë pacientë që manifestojnë simptoma të fruthit.

Aktualisht në pavionin e infektivit në shërbimin pediatrik ndodhen të shtruar me fruth 10 pacientë të vegjël, dy prej të cilëve, nën moshën 1 vjeç në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore.

Vetëm në Tiranë janë regjistruar 156 fëmijë që u prekën nga fruthi në harku kohor 4 muaj.

Ndërkohë, të rritur që shfaqen me simptoma të fruthit dhe nuk shfaqin komplikacione përcillen për në shtëpi bashkë me sugjerimet e nevojshme për ta kaluar sa më lehtë dhe të shmangin kontaktet me familjarët e tjerë me qëllim mbrojtjen e tyre.

Ekspertë të shëndetit publik vlerësojnë se shifra prej 600 persona të prekur nga fruthi është e lartë për një vend si Shqipëria, por për sa kohë ka ende qytetarë që neglizhojnë t’u bëjnë vaksinën antifruth fëmijës së tyre kur mbush një vjeç krijon një boshllëk në sistemin e vaksinimit.

Për shkak të futjes së virusit në Shqipëri më të riskuarit dhe më të prekur kanë qenë bebet e vogla të cilët nuk e kanë mbushur moshën e vaksinimit, por edhe të rritur, të cilët kanë bërë vetëm një dozë të vaksinës dhe në organizmin e tyre nuk janë krijuar antitrupa mjaftueshëm për t’i mbrojtur kur bien në kontakt me virusin.

Tanimë jemi në javën e vaksinimin dhe specialistë të ISHP i bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë të gjithë kalendarin e vaksinimit për fëmijët e tyre. Nëse popullata nuk do të ishte e vaksinuar në masën 95%, virusi i fruthit këtë vit do të kishte shkaktuara pasoja të rënda në njerëz./t.ch