Published On: Die, Pri 29th, 2018

50 mijë fëmijë punojnë për të siguruar jetesën, rreziku i braktisjes së shkollës

Rreth 50 mijë fëmijë të moshës së arsimit të detyrueshëm në vendin tonë, janë të detyruar të punojnë për të siguruara jetesën e tyre.
Sipas një studimi të Koalicionit për arsimin Në Shqipëri rezulton se 20.14 % e fëmijëve në moshë shkollore jetojnë në varfëri duke u përballur në vështirësi për të siguruar nevojat bazë për të jetuar.

Mungesa e investimit tek fëmijët rrezikon që një numër i konsiderueshëm i tyre të ngelen jashtë dyerve të shkollës.

Koalicioni për Arsimin në Shqipëri kërkon më shumë vëmendje dhe rritje të shpenzimit vjetor për nxënës i cili ka qenë në nivelin më të lartë në vitin 2015, ku Qeveria shpenzoi rreth 62 mijë lek në vit, ndërkohë që vitet 2017 dhe 2018 shënojnë rënie të shpenzimeve për nxënës në 55 mijë lekë.

Sipas koalicionit për Arsimin në Shqipëri, rritja e investimit në çdo fëmijë do të ndihmonte në formimin e tij dhe brenda vitit 2030 çdo fëmijë që do të përfundonte arsimin e mesëm apo të lartë kontributi i tij apo i saj do të gjenerojë të ardhura për frymë me një rritje në masën 75% gjë e cila do ndikonte edhe në rritjen ekonomike.

Sipas shifrave të publikuara nga studimi, rezulton se vitet e fundit vetëm 44% e fëmijëve arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit gjatë javës ndërsa 64% e fëmijëve me aftësi të kufizuara të grup moshës 7-18 vjeç nuk shkojnë në shkollë.