2 këshilltarët e LSI 'shpëtojnë' Veliajn, Luan Rama: Ata nuk janë më tanët... -Albpress Daily News
Published On: Mër, Kor 26th, 2017

2 këshilltarët e LSI ‘shpëtojnë’ Veliajn, Luan Rama: Ata nuk janë më tanët…

Me propozim të kryebashkiakut Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratoi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në kryeqytet me 20 lekë, nga 45 që është aktualisht, duke e çuar në 65 lekë.
Vendimi u mor në kufi të votave që duheshin për të plotësuar kuorumin, 31. Ku 25 ishin anëtarë të PS-së, 3 të PDIU-së, 1 nga Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, dhe 2 të LSI-së.

Mbledhja u zhvillua mes kontestimeve të shumta, ku jashtë ambienteve të Bashkisë pati një protestë nga shoqëria civile, ndërsa këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk morën pjesë në mbledhje edhe pse mbërritën në Bashki në kohë. Në një deklaratë për mediat, koordinatorja e këshilltarëve të LSI-së Eriona Bixha tha se nuk është serioze që mbledhja nuk nisi në orar (në orën 18:00), ku kryebashkiaku dhe këshilltarët e majtë erdhën më shumë se gjysmë ore më vonë, transmeton Express.

Ky vendim që ka ngjallur mjaft kundërshti u mor falë qëndrimit në sallë të dy këshilltarëve të LSI-së që plotësuan kuorumin. Agim Kraja foli në emër të LSI-së, kur tha se është pro vendimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Bashkë me të qëndroi edhe Genta Mezini, e cila sapo mori karrigen e këshilltares në bashki, pasi zuri vendin e Floida Kërpacit e cila u bë deputete nga zgjedhjet e 25 qershorit

Në një deklaratë për mediat zv.kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama përjashtoi qëndrimin zyrtar të forcës së tij politike nga dy votat e këshilltarëve.

“Vota e tyre nuk është votë e LSI-së. Unë njërën nuk e njih fare, më thanë që ka ardhur sot. Ndërsa tjetri është këshilltar shëtitës. Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në. Sepse ai ka qenë dikur me monarkinë, është kthyer, ka ikur, është këshilltar shëtitës. Ne ofrojmë bashkëpunimin për transparencë dhe zgjidhje ligjore. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e LSI. Individë të veçantë mund të lëvizin nga njëri krah në tjetrin. Koordinatorja e këshilltarëve të LSI para se të fillonte mbledhja, ai është qëndrimi zyrtar, cdo gjë tjetër nuk ka lidhje me LSI. Ne nuk jemi pjesë e këtij vendimi, ata nuk janë këshilltarë LSI”, u shpreh Luan Rama, i cili permes kesaj deklarate duket se paralajmeron perjashtimin e dy keshiltlareve nga LSI-ja.

Zv.kryetari Luan Rama tha se ishin këshilltarët e Partisë Demokratike ata që krijuan kuorumin për nisjen e mbledhjes së këshillit bashkiak. Siç edhe u transmetua në media, ata morën pjesë në nisje të mbledhjes, dhe e braktisën më tej atë.